Transmetuar më 17-03-2019, 11:44

Ish-deputeti i PD, Luçiano Boçi ka denoncuar sot se nxënës dhe mësues janë detyruar që të dalin për festimet e Ditës së Verës, që bashkia e Tiranës vendosi ti bëjë sot.

“Nxënësit e mësuesit e shkollave të Tiranës urdhërohen të dalin të organizuar me kuadrate për ditën e verës së deformuar. Disa nga mesazhet e ardhura nga mësuesit, po jua sjell në foto. Propaganda bajate kërkon të stimulojë imazhin e një Shqipërie fanar lumturie e së cilës po i “plas gëzimi dhe e mira nga sytë”, shkruan Boçi.

Përmes një statusi në Facebook, Boçi ka publikuar edhe mesazhet, ndërsa e krahason Tiranën me Korenë e Veriut.

“Jetojmë e punojmë si në rrethim”; “Rroftë Shqipëria e lumtur Rilindase”; “Me partinë në ballë, përpara për fitore të reja”; Këto do jenë disa nga parrullat që do shpalosen sot në ditën e verës. Por ndërrimi grotesk i kalendarit të ditës së verës nga 14 Mars në 17 Mars nuk është i padëgjuar. Ka ndodhur në Korenë e Veriut.

Korea e Veriut është në vitin 108, jo 2019, sepse vendi i shënon vitet sipas kalendarit Juche, i cili u prezantua në vitin 1997 dhe bazohet në datën e lindjes së Kim Il-sung: 15 prill 1912. Viti 1912 përdoret si Juche 1 dhe nuk ka Juche 0. Tiranën sot do ta ketë zili vetë Pheniani!!!!”, përfundon Boçi./b.l/noa.al/