Transmetuar më 17-03-2019, 11:28

Zbardhen arsyet e konfliktit që çoi mbrëmë në ekzekutimin e 62-vjeçarit, Haxhi Baçinozi (Baxhinovski).

Nga të dhënat e hetimit, 62-vjeçari i cili u vra mbrëmjen e djeshme me tre plumba pranë Liqenit Artificial në Tiranë, dyshohet se ka pasur një konflikt të vjetër për një borxh të pashlyer në vlerën 46 mijë euro.

Autorët mësohet se janë identifikuar nga djali i viktimës, por janë ende në kërkim.

Policia tha se autori i dyshuar është Islam Myslaj, i cili në momentin e ngjarjes ka qenë i shoqëruar edhe me një person tjetër.

Haxhi Baçinozi (Baxhinovski) u vra mbrëmë teksa ishte në shoqëri të djalit të mitur.

62-vjeçari Baçinozi e kishte rutinë të përditshme ecjen nga liqeni pasditeve me të birin. Autori e ka pritur tek liqeni derisa ai ka mbërritur dhe më pas e ka ekzekutuar dhe është larguar në këmbë nga vendngjarja.

Policia thotë se ka identifikuar autorët e vrasjes së 62-vjeçarit nga Fieri.

Haxhi Baçinozi (Baxhinovski) ishte tek kodrat e liqenit bashkë me djalin e mitur, kur dy personat i janë afruar dhe e kanë qëlluar për vdekje, ndërsa i biri por edhe kalimtarë të rastit i shpëtuan fatmirësisht plumbave.

Personat që qëlluan mbi fierakun, referuar dëshmive të mbledhura në vendngjarje ishin të maskuar dhe të veshur me xhupa të zinj.

Ata janë larguar me shpejtësi menjëherë pas krimit.

Kush ishte viktima

Haxhi Baçinozi (Baxhinovski), 62-vjeçari i cili humbi jetën në një atentat në Liqenin Artificial, mbrëmjen e djeshme, mësohet se ka qenë ish-i përndjekur, i dënuar në sistemin komunist. Baçinozi lindi më 2 korrik të vitit 1957, në fshatin Radostinë të qytetit të Fierit.

Më 30 janar 1982, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, për “Agjitacion e propagandë”.

Më tej, mësohet se viktima është dënuar sërish më 3 qershor 1984, kësaj radhe me 21 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë për “Veprën e terrorit në bashkëpunim”.

Haxhi Shefqet Baxhinovski ka qenë i dënuar në kampin e Qafës së Barit, madje ka marrë pjesë edhe në revoltën e Qafës-Barit.