Transmetuar më 16-03-2019, 15:15

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, paralajmëroi se protestat e opozitës së bashkuar do të vazhdojnë dhe do të shtrihen ditë e ardhshme në të gjithë Shqipërinë, me vendosmërinë për të detyruar kryeministrin Rama të largohet nga pushteti.

Kur mendohej se momentet e tensionit para parlamentit mes policisë dhe protestuesve, do të rindiznin protestën e opozitës, zoti Basha i tërhoqi protestuesit tek selia e PD dhe mbajti një fjalim me tone patetike.

“Dita e sotme hyri në historinë tonë të paskomunizmit, si dita e bashkimit më të madh tek “Dëshmorët e Kombit” dhe për këtë çdo shqiptar sot, e çdo brez në të ardhmen, ju ka borxh një mirënjohje juve misionarëve të lirisë dhe demokracisë” u tha zoti Basha përkrahësve të tij entuziastë.

“Gjithë bota pa sot me sy vendosmërinë tuaj për të fituar lirinë dhe demokracinë që meritoni. Sot ne pamë se si dridhej nga paniku qeveria e krimit, ndërsa të gjithë ata që mbrojtën mafian në pushtet, do të mbajnë përgjegjësi” shtoi më tej ai.

Në fjalën e zotit Basha tërhoqi vëmendjen mesazhi në anglisht për ndërkombëtarët. “Dua t’u dërgoj një mesazh miqve tanë ndërkombëtarë, që na kanë mbështetur në këto 29 vite. Nuk ka demokraci pa stabilitet! Mos dëgjoni avokatët e korruptuar dhe njeriun që zhyti Shqipërinë në drogë, por dëgjoni zërin e njerëzve dhe qytetarëve të lirë të shqiptarëve” tha ai.

Në Europë nuk shkohet pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, tha ai, duke shtuar se nuk do ta lejojnë kryeministrin Rama të qeverisë në mënyrë mafioze Shqipërinë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd