
Opozita rikthehet të shtunën në orën 11:00 para kryeministrisë për të kërkuar largimin e qeverisë Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Pas një muaj protestash para kuvendit dhe në qytete mbështetësit e opozitës do të përpiqen të tregojnë forcën se shumica janë ata.
Si në protestën e 16 shkurtit edhe më 16 mars, kryetari i PD-së Lulzim Basha, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi drejtues dhe funksionarë të tjerë të PD-së do të jenë në shesh vetëm në rolin e dëgjuesve ndërsa fjalën do ta kenë qytetarët.
Kjo është hera e parë kur funksionarët e opozitës do të jenë në shesh pa mandate duke mos iu siguruar atyre asnjë mbrojtje ligjore. Detajet si do të zhvillohet protesta mbahen diskret ndërsa i vetmi fakt është tentativa e qytetarëve për të rrethuar kryeministrinë për herë të dytë.
Ndërkohë policia dhe prokuroria janë në gadishmëri. Kamera sigurie, dron, agjentë civilë, 1600 efektivë policie, automjete të hedhjes së ujit si dhe garda e republikës do të jenë të angazhuara si plan i masave për të monitoruar dhe ndërhyrë në çdo moment nëse protesta e opozitës do të bëhet e dhunshme nesër para Kryeministrisë.
Nga oborri i Kryeministrisë është hequr kërpudha e dëmtuar nga protesta e 16 shkurtit dhe është përforcuar rrethimi i ndriçuesit tek hyrja selisë së qeverisë. Ndërsa për të shmangur ngjitjen e protestuesve siç ndodhi më 16 shkurt kur u këputën megafonët e policisë, shtyllat ku janë vendosur kamerat e sigurisë janë lyer me graso.
Ndërkohë pritet që pjesë e masave të policisë të jetë bllokimi i qarkullimit në rrugën ‘Ismail Qemali’, ‘Ibrahim Rugova’ lidhje me bulevardin, ura e Lanës nga ministria e Brendshme deri tek Presidenca aty ku do të ndalohet dhe parkimi i mjeteve.
Policia ka montuar dhe kamerat e sigurisë për të filmuar aktivitetin e protestuesve dhe pamjet do të përdoren si prova nëse do të ketë dhunë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





