Transmetuar më 14-03-2019, 14:13

Grupi i Këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Bashkinë e Tiranës, reagon lidhur me shtyrjen e festimeve për Ditën e Verës, nga kryebashkiaku Erion Veliaj për në 17 mars.

Duke uruar sot të gjithë qytetarët për ditën e Verës për më shumë mbarësi, paqe dhe mirësi në jetën e tyre, këshilltarët e LSI e cilësojnë shtyrje të pakuptimtë dhe pa asnjë motiv real meteorologjik, të festimeve të kësaj dite nga ana e kryebashkiakut Veliaj.

“Përveçse absurde, kjo shtyrje bie ndesh me Ligjin Nr. 7651 Neni 1 pika g, për festat dhe ditët përkujtimore, të cilat nuk mund ti ndryshojë askush. Qytetarët e Tiranës ishin sot dëshmitarë se asnjë pikë shiu nuk ra në qytetin tonë, dhe e vetmja arsye e vërtetë e shtyrjes absurde te festimeve, është paniku nga protesta e madhe e shqiptarëve në 16 Mars që do vërshojë si uragan i pakënaqësisë popullore në sheshet dhe rrugët e Tiranës”, thuhet në qëndrim.

Më tej deklarohet se historia e afërt dhe e largët e këtij qyteti, ka treguar se asnjë manovër politike, nuk mund të ndalojë shpirtin e lirë të popullit të Tiranës për ta vendosur kryeqytetin tonë në themel të çdo lëvizje për ndryshim dhe prosperioritet në momentet e zhvillimeve më historike të kombit. /a.y/noa.al