Transmetuar më 14-03-2019, 14:00

Ervin Mata i cili u la i lirë nga Gjykata e Tiranës, pas vetëdorëzimit pas pesë muajve në arrati, ka bërë një kërkesë në Prokurori.

Mësohet se i riu i ka kërkuar prokurorëve të çështjes që të marrin dëshminë e tij lidhur me vrasjen e ndodhur në ish-Bllok.

Ai ka kërkuar që të tregojë gjithë sa ka parë dhe sa di mbi ngjarjen e rëndë.

Kujtojmë se teksa gjykata vendosi “detyrim paraqitje” ndaj të fejuarit të këngëtares Elvana Gjata, organi i akuzës e ankimoi vendimin.

31-vjeçari akuzohet për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë” në bashkëpunim dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.

Më herët gjatë dëshmisë Mata ka mohuar që të ketë qëlluar në ngjarjen e 4 tetorit të lënë pas, duke thënë se u largua nga frika pas të shtënave.

Po ashtu ka pohuar se gjatë muajve të arratisë, ka qëndruar në Tiranë.

Sipas prokurorisë shkak për përplasjen mes dy grupeve që përfundoi me vrasjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve është bërë këngëtarja, por kjo gjë është mohuar nga Elvana Gjata.

Ervin Mata u vetëdorëzua dy javë më parë në polici si i dyshuar për ngjarjen ku në lokalin në rrugën “Ibrahim Rugova” në ish-Bllok më 4 tetor, u plagosën me armë zjarri Ervis Martinaj, 36 vjeç dhe Eljon Hato, 28 vjeç, si dhe mbeti i vrarë Fabian Gaxha, 28 vjeç.

Uniformat blu bënë arrestimin në flagrancë të dy të plagosurve dhe shpalljen në kërkim tre të tjerë. Pas vetëdorëzimit të Matës, në kërkim vijon të jetë truproja dhe kushëriri i Elvana Gjatës, Mervjol Bilo, 41 vjeç, dhe Eldi Dizdari, bashkëshorti i ish-Missit Suada Sherifi. /a.y/noa.al