MPJ grek: Zgjerimi i vijës detare, prioritet i Tsipras
Transmetuar më 14-03-2019, 11:03
Jorgos Katrugalos

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Jorgos Katrugalos thotë se kanë nisur diskutimet lidhur me marrëveshjen me Shqipërinë.

Në një intervistë për radion ‘Real FM’, Katrugalos shprehet se vonesat për negociata mbi Zonën Ekskluzive Ekonomike në detin Jon kanë lidhje me situatën politike në Shqipëri.

“Duhet të marrim përgjigje për çështjet e parashtruara dhe madhore të minoritetit grek. Konkretisht janë dy ligje që referohen në të drejtat përkatëse, ligji për mbrojtjen e pasurisë së palëvizshme në bregun e Himarës, si dhe ligji i përcaktimit të identitetit, që ofron mundësinë e deklarimit si minoritar në procesin e regjistrimit. Janë dhënë disa përgjigje nga pala shqiptare, në një farë mënyre mund të them se kanë rifilluar diskutimet, por është akoma tepër herët të parashikojmë rezultatin”, u shpreh MPJ grek.

Ai tha deklaroi se vullneti është për të përmirësuar çështjet bilaterale, duke i hapur dritën jeshile, rrugës evropiane për Shqipërinë.

Lidhur me zgjerimin e vijës bregdetare dhe përcaktimin e zonës ekskluzive e cilëson prioritet të Kryeministrit Aleksis Tsipras.

Për këtë thotë se, “Zgjerimi i vijës bregdetare përfshihet në projektin e përcaktimit të Zonës Ekskluzive Ekonomike me Shqipërinë, Italinë dhe Egjiptin”. /a.y/noa.al