Shehi: Rama dhe Berisha rrënuan demokracinë
Transmetuar më 13-03-2019, 23:00

Ish-deputeti Dashamir Shehi i ftuar në "Arena" nga Dritan Hila në Ora News, duke folur për kodin zgjedhor thotë se kryeministri Edi Rama dhe ish-kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, rrënuan demokracinë me kodin zgjedhor që miratuan.

"Basha pas çadrës e ka kuptuar se nëse nuk bën disa hapa të guximshëm përpara ka shumë pak hapësirë politike. Dhe unë e gjykoj se ka bërë një hap të madh për të ndryshuar sistemin, dalja e tij bashkë me ne nga parlamenti është hapi më i madh, sepse parlamenti është pjesë e sistemit.

Duke anatemuar këtë situatë, duke dhënë hapësirë për një rrugë tjetër, ka bërë një hap të madh. Ky është hap i madh, sepse deri më dje nuk e ka bërë asnjë. Basha e ka artikuluar, ka ardhur koha që të ndryshojmë kodin zgjedhor, sepse demokracia buron me zgjedhjet", ka thënë Shehi.

Ai ka vijuar më tej duke thënë:

"Ne, e kemi kuptuar se me këtë kod zgjedhor të deformuar, të bërë në emër të kryetarëve të partisë që ishin, Edi Rama, Berisha, e rrënuan demokracinë shqiptare.

Këtu nuk janë bërë më zgjedhje, këtu janë zgjedhur kryetarët e partive. U bënë 10 vjet që qytetarët nuk zgjedhin më, votojnë një listë partie që është e mbyllur, që e merr vesh natën e fundit".