Transmetuar më 13-03-2019, 16:21

Pak ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda që shpëtoi nga burgu përjetë Dritan Dajtin, një tjetër hap është hedhur nga akuza.

Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda iu drejtua me rekurs Gjykatës së Lartë të cilës i kërkon prishjen e vendimit të Apelit dhe rikthimin e dënimit me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin, i cili akuzohet për vrasjen e 4 oficerëve të policisë në 2009 në Durrës.

Ky i fundit, u dënua me 25 vite burg nga Shkalla e Dytë, e cila i pranoi gjykimin e shkurtuar duke i ulur dënimin. Vendim për të cilin, organi i akuzës nuk ishte dakord, duke kërkuar dënimin e tij me burgim të përjetshëm dhe mospranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar.

Kujtojmë se Gjykata e Shkallës së Parë, e dënoi Dajtin me burgim të përjetshëm, për vrasjen e 4 policëve në 2009-ën.

Gjithashtu, Shkalla e Parë, nuk i pranoi Dajtit as kërkesën për gjykim të shkurtuar. Ndërkohë, prokuroria tashmë i është drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs, duke kërkuar prishjen e vendimit të Apelit, si një vendim i pabazuar dhe dënimin e Dajtit me burgim të përjetshëm.