Transmetuar më 13-03-2019, 14:11
Admir Thanza

Dosja në ngarkim të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza do të kalojë për gjykim.

Vendimi u mor ditën e sotme nga gjyqtari i hetimeve paraprake Arben Micko, ku Thanza do të merret i pandehur për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit.

Kjo pasi Thanza i cili u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në korrik 2018 në kuadër të procesit të vetingut, nuk kishte deklaruar dënimin në Itali për vjedhje.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se Thanza ishte dënuar për vjedhje në Itali, ku kishte dhe një gjobë, por në formularin e dekriminalizimit e kishte fshehur.

Thanza rezulton i dënuar për vjedhje në vitin 1999 nga shteti italian. Në vendimin e gjykatës italiane, Thanza është dënuar me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë.

Thanza deklaroi gjatë seancës dëgjimore në KPK se kurrë në jetën e tij nuk do mund të bënte një veprim të tillë, por se pafajësinë e mori përsipër për të mbrojtur një fëmijë, djalin e vëllait të tij.

“U bë një marrëveshje mes avokatit dhe prokurorit se nuk do të jetë asnjë shënim, përveç një gjobe. Madje unë e falënderova gjyqtarin për gjobën. Kur isha subjekt i dekriminalizimit mora certifikate dhe isha i pastër. Me sinqeritet, s’mund ta imagjinoni dot dhimbjen që ndieja për të. Nipi është pa baba, ka patur një sëmundje të rëndë dhe u

dërgua në Itali për kurim dhe krimin e kreu kunata. E mora përsipër fajin për të shpëtuar nipin, jo kunatën. Druaja se djali i vëllait do mbetej pa përkrahje, nëse dënohej e ëma dhe gjendja e tij nuk ishte e mirë”, deklaroi gjyqtari muaj më parë. /a.y/noa.al