Transmetuar më 13-03-2019, 10:51

Teksa zhvillohet seanca e radhës parlamentare ku u betuan shtatë deputetët e rinj, kryedemokrati Lulzim Basha ka zgjedhur të takojë banorët e Peshkopisë, për ti ftuar që ti bashkohen protestës së 16 marsit.

“Mençuria dibrane të shprehet më 16 mars në Tiranë. T’i kthejmë Dibrën dibranëve dhe Shqipërinë shqiptarëve”, iu tha Basha qytetarëve.

Ai i ftoi në protestë në Tiranë për të ulur taksat dhe rritur mirëqenien, në mënyrë që sipas tij Dibra të mos jetë çiflig as i kriminelëve as i hajdutëve.

Kreu i PD deklaroi se është krimi në pushtet dhe jo e majta.

“Më 16 mars të na bashkohesh në protestë që të shembim këtë qeveri të krimit dhe hajdutërisë, që t’i japim mundësinë të punojnë me liri dhe dinjitet. Në mandatet i dogjëm për të qenë në krahun e qytetarëve, jo në krahun e krimit, jo në krah të Ymer Lalës. Kam folur me akte, jo me fjalë.

Teksa një tregtar i hodhi mollët në rrugë, Basha e ftoi që t’ia përplas Edi Ramës në fytyrë në protestën e së shtunës.

Ai tha se kjo situatë është produkt i një njeriu për të cilin e gjithë Shqipëria vidhet nga mëngjesi deri në darkë.

“Vidhen fermerët, pacientët, njerëzit janë me xhepa bosh ndaj nuk vijnë të blejnë. Të gjitha bashkë ia dalim më 16 mars në Tiranë”, deklaroi kreu i PD. /a.y/noa.al