Transmetuar më 13-03-2019, 09:57
Saimir Tahiri dhe avokati Maks Haxhia, foto arkiv

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda është hedhur shorti ditën e sotme, për përzgjedhjen e gjyqtares paraprake, e cila do të shqyrtojë dosjen në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Shorti nxori emrin e Miliana Muçës, e cila do të shqyrtojë paraprakisht dosjen, ndërsa më tej do të caktohet data nëse çështja do të dërgohet ose jo në gjyq.

Ndaj ish-ministrit janë ngritur akuzat e veprave penale “Trafik ndërkombëtar droge” në bashkëpunim, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim detyre”.

Mbyllja e hetimeve ndaj ish-ministrit dhe dërgimi i dosjes në gjykatë, vjen pasi më 11 shkurt Gjykata e Krimeve të Rënda, pranoi kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm, për të mos zgjatur hetimet me tre muaj të tjerë.

Saimir Tahiri është vënë nën hetim, si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë. Ai akuzohet se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal. /a.y/noa.al