Transmetuar më 12-03-2019, 23:18

Dy gazetarë italianë, Valerio Palombaro dhe Alberto Negri, të intervistuar nga Ora News, kanë komentuar daljen e kryeministrit Edi Rama në “Porta a Porta” në Rai Uno dhe në media të tjera në Itali.

Sipas tyre, Edi Rama po bën fushatë elektorale në Itali duke iu drejtuar televizioneve atje. Gazetarët italianë kanë komentuar protestat në Shqipëri, duke u shprehur se, kjo nuk është lëvizja e vetme në Ballkan dhe Europë.

Sipas Alberto Negri protestat janë simptomë më e thellë e një situate të vështirë, që buron nga fakti se shqiptarët e ndjejnë se jeta e tyre drejtohet jo vetëm nga partitë politike por edhe klanet e fuqishme shqiptare, që veprojnë dhe janë ende me shumë pushtet.

“Mjafton të përmendim ish-ministrin e Brendshëm të qeverisë Rama që është akuzuar për lidhje me narkotrafikun. Kjo sipas meje është simptomë e një situate të vështirë shumë më të thellë” – thotë Negri që shton: Rama duke qenë kryeministër tenton të tregojë se gjithçka shkon mirë. Por duhet kujtuar se Shqipëria vuan probleme të forta ekonomike. Nuk do kish përndryshe kaq shumë emigracion, njerëz që ikin nga vendi, nëse gjërat do shkonin kaq mirë siç e pikturon kryeministri.

Besoj se Edi Rama po bën fushatë elektorale. E bën në Shqipëri e bën edhe jashtë. Në një vend ku ka 500 mijë shqiptarë që shkojnë e vijnë mes Italisë e Shqipërisë, që do votojnë në zgjedhje, sigurisht që i drejtohet këtij elektorati me prezencën në programet italiane” – thotë analisti italian.

Ndërsa sipas Valerio Palombaro, kryeministri Rama mori pjesë në programe të ndryshme italiane dhe mesazhi qe i qartë: Tensionet do të vijojnë deri për zgjedhjet lokale të qershorit dhe në pritje të hapjes së negociatave me BE-në.

“Por në Itali ka një ndërgjegjësim për problemet që ka Shqipëria me korrupsionin. Një pjesë e këtij fenomeni është i lidhur me imazhin e vendit në vitet ’90. Lëvizja e opozitës për të dalë nga parlamenti mund të mbetet pa efekt elektoral. Megjithëse u takon votuesve shqiptarë të vendosin. Kjo edhe për sa u takon përgjimeve, që janë tematika që duhen trajtuar në nivelin gjyqësor, më pas edhe në zgjedhje” – thotë ndër të tjera ai.