Transmetuar më 12-03-2019, 17:25

Kreu demokrat u ndal në Berat për të ftuar qytetarët në protestën e 16 marsin përpara kryeministrisë.

Lulzim Basha akuzoi qeverinë si të lidhur me krimin, e cila sipas tij i ka ditët e numëruara.

“Qeveria është kapur në afera të tmerrshme korruptive siç është ajo e Unazës së Tiranës. Rama vjen në pushtet me krimin, ju vjedh dhe më pas thotë mos flisni. Edi Ramës i kishte mbetur vetëm një vegël për të qeverisur, propaganda. Në 16 shkurt ju ja thyet këtë vegël.

Nuk ka zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në Evropë nuk shkohet me krimin dhe me Shqipërinë si Kolumbia. Nuk shkohet në Evropë me politikanë që vjedhin. Nuk pranojmë që truri i këtij vendi të largohet dhe të ikin si clandestine”, tha Basha.

Projekti europian, sipas tij, arrihet vetëm përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Shqipëria evropiane kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk na duhet qeveria për barsoleta dhe batuta.

Është hajdut i maskuar si kloun. Të bashkohet me ne në 16 mars kush do uljen e taksave, uljen e çmimit të energjisë, një ekonomi me taksa të ulëta dhe vende pune. Orët e kësaj bande hajdute janë të numëruara. Parlamenti i krimit ka marrë fund”, theksoi Basha përpara qytetarëve të Beratit. /k.k/noa.al/