Transmetuar më 12-03-2019, 15:50

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha po zhvillon një takim me bizneset e vogla, në Urën Vajgurore. Në fjalën e tij, kryedemokrati u tha qytetarëve të pranishëm në takim se vendi nuk është i varfër, por i vjedhur. Basha, u shpreh se ka qenë shpeshherë në këtë zonë  dhe se banorët nuk janë dembelë.

“Kam qenë shpeshherë në këtë zonë, kam parë potencialin e bujqësisë. Banorët duart i kanë me kallo, nuk janë dembelë. Bujqësia nuk të fal njerëzit janë punëtorë. Problemi nuk është se jemi një vend i varfër, por jemi një vend i vjedhur. E vetmja rrugë drejt Europës është emigracioni klandestin.

Blihet 20 % më pak bukë dhe ky thotë se ka rritje ekonomike. Kush ka rritje ekonomike? Damiani që pi 2000 euro verë. Edhe ajo nuk mjafton për rritjen ekonomike. Sot, vetëm Bashkitë fusin nja 6-7 taksa. Do ketë vetëm një taksë. Që të çlirojmë ekonominë na duhet të ulim taksat.”- u shpreh Basha.

Më tej Basha deklaroi se pas çdo propagande të Edi Ramës fshihet një vjedhje e madhe. Ai tha se paratë dhe interesat janë ndërthurur me 5 oligarkë, të cilët sipas tij po grabisin pronat e qytetarëve.

“Rama ka ndërtuar një sistem ku ka ndërthurur interesat e 5 oligarkëve me rryshfete të majme për veten e tij dhe ministrat e tij, se kur i rrotullon prapë se prapë punët aty me njëri-tjetrin i llokoçisin.

Ikën Damiani, vjen Belinda, Belinda bashkë me Damianin, bashkë me Afrimin. Nuk ka më qeveri. Kemi një bandë e cila është kapur duke vjedhur. Janë kapur duke vjedhur votat dhe në këtë moment ka prerë lidhjen me popullin.

Kemi një kryeministër që e ka mendjen të bëjë barcaleta, të tallet, dhe të bëjë paratë e shqiptarëve rrush e kumbulla. Sa herë ta shikoni në ekran duke këputur mufka ose duke bërë truket e veta gjoja me veshje, sa herë që është duke bërë atë, është duke vjedhur diçka të madhe. Çdo moment propagande e Edi Ramës, prapa kësaj fshihet një vjedhje e madhe”, tha Basha./b.l/noa.al/