Transmetuar më 11-03-2019, 18:25

Mbrëmjen e djeshme Jonida Maliqi ka publikuar videoklipin e këngës “Ktheju Tokës”, që do të jetë projekti përfaqësues i Shqipërisë në Eurovizion-in e këtij viti.

“ Ktheju Tokës, është një thirrje e kënduar fuqishëm nga Jonida Maliqi që sëbashku me videoklipin e realizuar nga Triangle Media Group u drejtohet tashmë jo vetëm shqiptarëve, por vjen njëherësh si një klithëm për mbarë fenomenin e emigracionit me të cilin po përballet aktualisht mbarë Europa.

Gjithesesi, ky videoklip është vetëm paranteza e performancës së Shqipërisë në Eurovision, të cilën e ruajmë ende si surprizën e radhës”, shkruan dhe Jonida në përshkrimin e videoklipit në Instagram.

Në videoklipin e ”Ktheju Tokës” mund të vëmë re disa detaje. Si për shembull përdorimin e 4 elementëve: toka, uji, zjarri dhe sigurisht ajri. Mund të shohim fëmijët që vrapojnë larg “folesë”, pra shtëpisë së tyre që digjet, gjë që me siguri simbolizon emigrimin.

E gjithashtu mund të shohim një fole shqiponje të mbushur me njerëz që presin të ushqehen e të rriten dhe në fund Jonida që zëvendësohet pikërisht me një shqiponjë.