Transmetuar më 10-03-2019, 22:30

Konfindustria ka mbështetur në parim, nismën e fundit ligjore të qeverise dhe kërkesën e agjencive të specializuara të BE, për publikimin e të dhënave personale të pronarëve të kompanive “guackë” të regjistruara në të ashtuquajturat parajsa fiskale, që veprojnë në Shqipëri.

Por sipas Konfindustrisë, kjo nismë është e vonuar në kohë dhe e paplotë në thelbin e draftit të paraqitur zyrtarisht.

Me anë të një njoftimi për mediat Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë jep edhe disa pika të cilat duhet të shtohet që kjo nismë të jetë e plotë.

Së pari duhet sipas Konfindustrisë që zbardhja për publikun e pronarëve fundorë duhet të bëhet e plotë pavarësisht përqindjes së aksioneve, që ata zotërojnë në kapitalin e kompanive të regjistruara në parajsa fiskale.

Dhe së dyti, koha e papërcaktuar e ndërtimit të bazës së të dhënave, rrezikon të zgjasë shumë procesin dhe t’i japë kohën e duhur të kryerjes së transaksioneve fiktive, për fshehjen e publikimit të pronarëve të vërtetë të kompanive “guackë”.

Konfindustria kërkon gjithashtu edhe ndërprerjen e dhënies së lejeve të reja koncesionare, për këto kompani.

Sipas konfindustrisë, kompanitë “guackë” shkatërrojnë konkurencën ndërmjet bizneseve, krijojnë mundësi të pastrimit të parave të zeza të krimit dhe korrupsionit, dëmtojnë rëndë demokracinë, zgjedhjet e lira dhe pengojnë integrimin e Shqipërisë në BE.

Pse hapen kompani offshore

Kompania ofshore mund të përdoret si për qëllime të ligjshme ashtu edhe të paligjshme.

Por më së shumti, fakti është që përdoret për qëllime të paligjshme.

Duke fshehur pronarin e vërtetë, kompania ofshore mund të investojë një sasi parash që në dukje janë të ligjshme.

Mënyra më e zakonshme e kryerjes së kësaj pune, sipas zbulimeve të skandalit të Dokumenteve të Panamasë, qe blerja e pronave luksoze në Londër në emër të kompanive të regjistruara në parajsa fiskale.

Ato mund të përdoren gjithashtu për të bërë pagesa të paligjshme.

Në vend që të paguhet një çantë me para nën dorë, një biznesmen mund të korruptojë një zyrtar duke i shitur atij për një vlerë fiktive një kompani ofshore që disponon asete me një vlerë të caktuar.