Transmetuar më 08-03-2019, 13:05

Kryedemokrati Lulzim Basha bën një urim të veçantë me rastin e ditës ndërkombëtare të gruas.

“8 Marsi është një ditë e veçantë për të kujtuar dhe reflektuar mbi sakrificën e përditshme të nënave, grave e vajzave në vendin tonë. Sakrificën për të përballuar kushtet e vështira ekonomike e pasigurinë, sakrificën për të rritur dhe edukuar fëmijët, sakrificën e përditshme të mijëra nënave për të siguruar ushqimin e mjaftueshëm për fëmijët e tyre, sakrificën për të gjetur një punë, sakrificën e atyre që punojnë në kushte të vështira e me paga të pamjaftueshme për të paguar as ujin e energjinë e rritur, për të kujtuar sakrificën e nënave që punuan një jetë, por pensionin e kanë të pamjaftueshëm edhe për të blerë ilaçe”, shkruan Basha.

Ai thotë se kjo është edhe një ditë-reflektim për atë që duhet të bëhet për gruan, për t’i garantuar një jetë më të mirë, vende pune me kushte dhe paga më të mira.

Po ashtu ai kërkon të krijohen mundësi për arsimim të fëmijëve pavarësisht kushteve të tyre ekonomike.

“Ne do të bëjmë gjithçka për t’u dhënë mundësi grave të kenë peshën dhe rolin që meritojnë në shoqërinë tonë”, shprehet kreu i PD. /a.y/noa.al