Transmetuar më 06-03-2019, 21:30

Mungesa e sigurisë në stadiume, si dhe vendimi i sotëm i organeve të drejtësisë mbi të ndaluarit për aktet e dhunës ndaj arbitrit Eldorjan Hamiti, në përfundim të ndeshjes Kamza-Laçi, kanë ngjallur reagimin e Shoqatës Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar.

Kjo e fundit, e tronditur nga masat e sigurisë (arrest shtëpie për presidentin e Kamzës, Naim Qarri, dhe detyrim paraqitje për të ndaluarit e tjerë) përmes një deklarate për shtyp ka njoftuar bojkotin ndaj ndeshjeve të futbollit në nivel kombëtar.

Tani e tutje nuk ka futboll, nëse shteti nuk reagon, nëse nuk merren masa reale për agresorët dhe nuk kthehet policia në stadiume!

DEKLARATA

“Shoqata Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar, e tronditur pas ngjarjes së dhunës ekstreme ushtruar ndaj gjyqtarit Eldorjan Hamiti në Kamëz, ka marrë sot vendimin e saj për të bojkotuar ndeshjet e futbollit në nivel kombëtar”, komunikon shoqata.

“Duke parë që nga java e parë e kampionatit dhe deri në të fundit ne ndjehemi të pasigurt, sot ne vendosëm të themi: Mjaft! Mjaft më me kërcënime, fyerje e sharje. Mjaft dhe kjo është shumë më serioze dhe e rrezikshme) me dhunë e ç’është më e rëndësishmja, mjaft më me pasiguri për jetën”, vijon qëndrimi i fanellave e zeza.

“Njëzëri arbitrat mendojnë se eksperimenti i deritanishëm për largimin e Policisë së Shtetit nga stadiumet e futbollit ka dështuar. Zëvendësimi i tyre me polici private është një dështim tjetër tashmë i konsumuar”, insistojnë arbitrat për rikthimin e policisë së shtetit.

“Ashtu siç nuk kemi se ç’të presim më edhe nga eksperimenti tjetër i zbatimit të ligjit, i cili ka dështuar plotësisht, përderisa autorët e dhunës janë liruar sot, edhe se pamjet filmike janë shumë të qarta dhe media ka katër ditë qe e ka në qendër të vëmendjes këtë ngjarje”, reagojnë ndaj vendimeve të gjykatës.

“I kërkojmë klubeve anëtare në FSHF të na mirëkuptojnë dhe të na mbështesin në vendimin që ne kemi marrë, kjo sepse vendimi që ne kemi marrë është e vetmja rrugë që gara të jetë sa më e vërtetë dhe korrekte. Mjaft u eksperimentua”, citohet në komunikatë.

“Ne kemi vendosur të mos luajmë me jetën tonë. Kështu nuk do të kthehemi për të gjykuar, deri sa të ndjehemi të sigurt dhe Policia e Shtetit të kthehet në stadiume dhe autorët e dhunës të ndëshkohen.

Shoqata Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar”, përfundon deklarata për shtyp e shoqatës së arbitrave.