Zgjedhja e kreut të KMSH, myftiu i Tiranës hedh akuza të forta
Transmetuar më 02-03-2019, 14:24
Ylli Gurra

Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra i cili ishte një nga kandidatët për kreun e Komunitetit Mysliman Shqiptar, hedh akuza të forta lidhur me votimin e sotëm.

“Përkundër dëshirës time të zjarrtë për të drejtuar një komunitet mysliman të shqiptarëve për shqiptarët sot jemi përpara një fakti të kapjes së institucionit nga kultet. Titullari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë nuk mund të zgjidhet nga organizma okulte”, u shpreh Gurra.

Ai tha se ka një faturim mbi komunitetin mysliman të barrave që nuk i takojnë dhe se ato pak të ardhura kanalizohen në mënyrë të paditur, kalojnë pa transparencë.

Megjithatë ai mohoi dhënien e dorëheqjes duke thënë, “Nuk kam arsye! Unë jam mysliman dhe nuk jam ushtar as i të majtës dhe as i të djathtës”.

Sipas tij, Komuniteti nuk është peng i askujt por paralajmëroi se në ditët e ardhshme do të ketë zhvillime.

Nga zgjedhjet e sotme fitues doli Bujar Spahiu, i cili deri më tani ka qenë nënkryetar i KMSH.

Nga numërimi i votave Spahiu siguroi 59 vota, myftiu i Tiranës Ylli Gurra 26 dhe myftiu i Lushnjes, Gramoz Blliku vetëm dy vota.

Kujtojmë se kreu i deritanishëm i Komunitetet Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj u tërhoq nga gara.

Lidhur me arsyet ai tha se vendosi të tërhiqej nga rikandidimi, për të hapur dhe një rrugë të re, jo vetëm dhe një rotacioni, por tashmë edhe teologëve të nderuar, që kanë mbaruar universitet më të mira islame në botë.

“Unë jam vetëm se njëri prej jush dhe dëshiroj të vazhdoj i tillë edhe në vazhdim.

Duke ju uruar kandidateve suksese ne gare, u drejtohem juve anëtareve të Këshillit të Përgjithshëm, që votimi për kryetarin është i fshehtë, pra mes ndërgjegjes tuaj dhe Zotit”, u shpreh Bruçaj. /a.y/noa.al

Loading...
Loading...