Transmetuar më 28-02-2019, 17:51

Këtë fundjavë do të luhet ndeshja më e rëndësishme e futbollit shqiptar, derbi kryeqytetas Tirana-Partizani. Pavarësisht gjendjes së ndryshme që vijnë të dyja skuadrat interesi mbetet maksimal për këtë takim si nga aspekti i garës sportive ashtu edhe të tifozerisë.

Burime për Supersport thonë se do të jenë 100 roje private të angazhuar në pjesën brenda “Selman Stërmasit”, ndërsa edhe këtë herë Policia e Shtetit nuk merr përsipër sigurinë brenda stadiumit.

Ky numër prej 100 rojesh private është rekord për futbollin shqiptar. Ditën e mërkurë ka patur një takim me organizatorët e ndeshjes, dhe përfaqësues të të gjithë aktorëve pjesëmarrës.

Gjithashtu mësohet se tifozeria e Partizanit ka marrë përsipër të ketë edhe organizim ekstra, për të ruajtur mbajtur nën kontroll tifo-grupin e saj. Nga tifozët e Tiranës nuk ka asnjë njoftim si do te organizohen.

Ndërkohë që kërkohet nga tifozët të jenë të pranishëm rreth një orë e gjysmë përpara fillimit të ndeshjes, kompania që do të sigurojë mbarëvajtjen e takimit bën me dije edhe sendet që nuk do të lejohen të futen në stadium, ku bëjnë pjesë flakadanë, tymues, kapsolla, çadra, flamuj me bisht, bidona uji me tapë, etj.