Transmetuar më 28-02-2019, 13:52

Pasi ka qëndruar për afro 40 minuta në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku është njohur me akuzat e ngritura ndaj tij, ish-ministri i Brendshëm i ka cilësuar si mjaft të rënda.

Madje ironikisht ai tha se “Besoj që pas Aldo Bares jam i dyti me këto akuza, por nuk ka ndonjë surprizë të madhe”.

Ai tha se Prokuroria e komanduar siç e nisi ashtu dhe e bitisi këtë histori, kështu që pavarësisht nxitjes që ka nga brenda, nënvizoi se dëshiron që ta respektojë deri në fund drejtësinë.

“Kjo historia ime lindi si një proces politik dhe kur them e komanduar kam parasysh politikën, krimin dhe drejtësinë që janë aq bashkë sa janë edhe ati, biri dhe shpirti i shenjtë. Nuk kam parë asnjë provë ndaj meje, por do i shoh në vazhdim”, u shpreh Tahiri.

Pyetjes nëse do të ketë një kërkesë të re për arrestimin e tij, ai tha se nuk frikësohet nga asgjë, madje nuk i intereson se çfarë bën Prokuroria, “më intereson vetëm e vërteta dhe fuqia që kam vetë për ti shkuar deri në fund”.

Sipas tij, ky është një proces i turpshëm, politik nga fillimi deri në fund, i komanduar nga fillimi deri në fund, por shtoi se “unë jam mësuar me vështirësi dhe më besoni do ia dal edhe kësaj”.

Ish-ministri deklaroi se e vërteta e tij është komplet e kundërta e kësaj që pretendon Prokuroria, dhe për këtë shtoi se e ka thënë drejtësia italiane që nuk ka lidhje me akuzat, ndërkohë që për Prokurorinë shqiptare duhet të ishte arrestuar.

“Nuk mjafton kaq për të kuptuar se nga kush është e komanduar kjo histori”, tha Tahiri.

Pyetjes se Kryeministri Edi Rama po lëshon mesazhe të koduara për ta afruar, ai deklaroi se, “Nuk më duhet fare! Mua më duhet vetëm e vërteta ime. Nuk kam nevojë të jem në sqetullën e askujt, unë ja dalë edhe pa këto”.

Gjithçka pasi dosja në ngarkim të Tahirit është dërguar në gjykatë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Ndaj ish-ministrit janë ngritur akuzat e veprave penale “Trafik ndërkombëtar droge” në bashkëpunim, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim detyre”.

Mbyllja e hetimeve ndaj ish-ministrit dhe dërgimi i dosjes në gjykatë, vjen pasi më 11 shkurt Gjykata e Krimeve të Rënda, pranoi kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm, për të mos zgjatur hetimet me tre muaj të tjerë.

Saimir Tahiri është vënë nën hetim, si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë. Ai akuzohet se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd