
Është zhvilluar sot te Krimet e Rënda, seanca e radhës gjyqësore mes Taulant Ballës dhe Shkëlzen Berishës, ku djali i ish-Kryeministrit Sali Berisha, e akuzon deputetin socialist për shpifje.
Berisha tha në dalje të gjykatës, se “E rëndësishmja në këtë seancë është fakti që vetë dokumentacioni që ka sjellë para gjykatës i akuzuari, të cilin e ka marrë gjatë komisionit parlamentar vërteton që unë kam paguar 16 milionë lekë taksa dhe i akuzuari ka qenë në dijeni të kësaj pagese në momentin kur ka kryer shpifjen. Kjo është e rëndësishme sepse kjo provon që shpifja ka konsumuar veprën penale me shpifje në fjalë sepse ka qenë në dijeni të faktit që po bën një deklaratë të rreme”.
Ai informoi se pretendimet e palës tjetër ishin që kanë qenë në dijeni të këtyre taksave.
Shkëlzen Berisha bëri me dije se Balla nuk ishte sot në gjykatë, duke thënë se dyshon se arsyeja e mungesës është, pasi nuk ka dashur të japë përgjigje “mbi 20-30 udhëtime që ka kryer me trafikantin e drogës Edmond Bego në vendet e Evropës”.
Sipas tij, nuk ka dashur të shpjegojë se pasi është kthyer nga këto udhëtime Edmond Bego ka fituar në kundërshtim me ligjin mbi 6 milionë dollarë para nga taksat e shqiptarëve, ndërkohë që nuk duhet të lejohej të merrte pjesë në garë dhe jo më të fitonte.
Ai tha se pas përfundimit të procesit penal, patjetër që do të shoqërohet me një tjetër padi civile, por se vlera do të përcaktohet pasi të konsultohet me avokatin dhe ekonomistin për të përcaktuar vlerën.
Berisha e ka paditur Ballën për shpërdorim detyre, ku djali i ish-Kryeministrit pretendon se ka përdorur dokumente personale, me qëllime politike.
Akuzat kanë të bëjnë me periudhën kur Balla ishte kryetar i komisionit hetimor për CEZ./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





