


“Segmenti” u kodua një operacion i policisë së Shkodrës, gjatë të cilit u sekuestruan 100 kilogramë marijuanë, duke vënë në pranga katër persona si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Pas një pune të mirëfilltë të ndjekur me metoda speciale të hetimit, në lidhje me një grup kriminal që ka lidhje me organizimin, financimin dhe transportin me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike në qarkun e Shkodrës, gjatë pasdites së kësaj të marte u arrestuan katër të dyshuar.
Ata janë N. M., 45 vjeç, banues në fshatin Baks, Shkodër, D. D., 41 vjeç, banues në fshatin Mnelë, Shkodër, J. N., 34 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe Shkodër dhe A. T., 24 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe, Shkodër.
Arrestimi i tyre u bë pasi në aksin rrugor Lezhë- Shkodër, në automjetin tip “Audi ” i parkuar në afërsi të një karburanti, brenda të cilit u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike marijuanë e cila rezultoi me peshë 100 kilogramë e 67 gram.
Në vijim të hetimeve në banesën e vjetër të shtetasit D. D., është gjetur edhe një sasi lënde e dyshuar narkotike me peshë 222 gram lëndë e dyshuar kanabis sativa.
Në cilësinë e provës materiale gjatë operacionit u sekuestruan 100 kilogramë e 289 gramë lëndë dyshuar narkotike, marijuanë, dy automjete dhe katër telefona celularë.
Aktualisht vijon operacioni për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal dhe destinacionin përfundimtar të kësaj linje trafiku të drogës.
Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprën penale të “Prodhimit e shitjes së narkotikëve” kryer në bashkëpunim. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





