Transmetuar më 26-02-2019, 16:27

Pak minuta para nisjes së protestës së opozitës për të cilën nuk është dhënë leje nga Policia e Shtetit, masa të shumta sigurie janë marrë nga forcat e rendit.

Një numër i madh efektivësh janë vendosur tek parlamenti, ku ndodhen dhe Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë, por edhe të Gardës.

Opozita vendosi të protestojë sot sapo Konferenca e Kryetarëve mori vendim të zhvillonte seancën e së enjtes së kaluar pasdite në orën 17:00.

Nga ana tjëtër policia nuk ka dhënë leje për protestën e sotme para parlamentit, çka mund të sjellë edhe ndalime të protestuesve. Ndërkohë para Kuvendit ka nisur edhe mbledhja e protestuesve të opozitës.

Kjo është protesta e tretë brenda muajit shkurt e opozitës së bashkuar, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, një qeveri tranzitore që do i sigurojë vendit zgjedhje të lira e të ndershme.

Sot pasdite Kuvendi do të shqyrtojë dy vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me strukturën e dy institucioneve të drejtësisë së re KLGJ dhe KLP.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd