Transmetuar më 26-02-2019, 15:43

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, ka thirrur pasditen e sotme seancën parlamentare, pas shtytjes që ju bë të enjten e kaluar, për të shmangur tensionet si pasojë e protestës së opozitës.

Kjo është seanca e parë që mbahet, pasi që nga e enjtja opozita ka djegur mandatet e deputetëve dhe nuk do të jetë më në Kuvend.

Vendimi për mbajtjen e seancës u mor paraditen e sotme gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve.

Ndonëse mazhoranca ka vendosur të mbledhë sot në orën 17:00 Kuvendin, një vendim të papritur ka marrë edhe opozita, e cila ka vendosur të protestojë pikërisht në të njëjtin orar.

Ndërkohë që kryeministri Rama mësohet të mos marrë pjesë në Kuvend. Pak më parë ai u shfaq në një takim në spitalin e Lushnjes, ndërsa pritet që të zhvillojë në orën 16:00 edhe një takim me qytetarët.

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka e cilësoi takimin si antimitingun e radhës së kryeministrit, i cili fshihet dhe largohet nga Tirana dhe zyra e tij sa herë ka protesta.

“Sot Parlamenti është ilegjitim, pasi e rrethuan me tela me gjemba dhe salduan hyrjen, sot kanë kaluar në ilegjitimiet të plotë, ndërkohë që ai tjetri bën antimitingun e radhës në Lushnje. Se vetë ikën, dërgon Taon dhe Spiropalin në Parlament. Por me këtë taktikë dhe strategji nuk do të shkoj askund.Sa herë të mblidhen kudo të mblidhen, sa do që mundohen të fshihen ne do na kenë pas”, deklaroi Paloka.

Edhe gjatë protestës së 21 shkurtit, kryeministri Rama zgjodhi të largohej nga Tirana. Ai u zhvendos në Vlorë në një takim masiv me qytetarët atje./b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd