
Një operacion ndërkombëtar i koduar “Metropolis” ka goditur një grup kriminal që vepronte në fushën e trafikimit të drogave të forta.
Operacioni është zhvilluar gjatë 12 orëve të fundit në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane.
Hetimet për këtë operacion janë shtrirë në Durrës, Berat e Shkodër, ku në bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve me Interforcën italiane dhe Karabinierinë e Breshias Itali, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin provizor me qëllim ekstradimi drejt Italisë i pesë shqiptarëve.
Ata janë G.S., 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë; S. D., 43 vjeç, lindur në Gërmenj dhe banues në Tiranë; E.H., 39 vjeç, lindur dhe banues në Shijak; A. M., 32 vjeç, lindur dhe banues në Shijak dhe L. P., 35 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër.
Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu në një konferencë për mediat lidhur me operacionin, deklaroi se Njësia Operative Radiomobile e karabinierëve të Breshias në Itali, në muajin mars të vitit 2015, ka nisur hetimin në lidhje me aktivitetin kriminal në drejtim të importimit në sasi të mëdha të lëndëve narkotike të llojit kokainë, nga Holanda në drejtim të Italisë.
Në përfundim të hetimeve, Gjykatësi për Hetimet Paraprake i Gjykatës së Breshias/Itali, ka dhënë masat e arrestit ndaj 39 personave
Në këto masa përfshiheshin dhe shtetasit shqiptarë që ndodheshin në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilët u arrestuan me qëllim ekstradimi për në Itali.
Në përfundim të operacionit të përbashkët “Metropolis” me autoritetet policore italiane, u arrestuan gjithsej 33 persona, nga këta 5 persona në Shqipëri, ndërsa 6 persona të cilët nuk janë kapur ende, janë shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe po vijon puna për kapjen e tyre. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





