Transmetuar më 22-02-2019, 14:21
Petrit Vasili gjate deklarates

Një ditë pas protestës së të enjtes para Parlamentit, e cila u pasua me djegien e mandateve të deputetëve, vijnë akuza të forta nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, akuzoi Kryeministrin Edi Rama dhe Shërbimin Informativ Shtetëror, për puç antikushtetues ndaj qytetarëve.

Ai tha se gjatë protestës u ndërpre linja telefonike për të lënë organizatorët në pamundësi komunikimi dhe në mënyrë që protesta të degradonte.

Por sipas tij, opozita kishte marrë masa për të mbajtur nën kontroll të plotë mbarëvajtjen e protestës dhe hodhi poshtë “këtë puç të turpshëm”.

“Edi Rama duhet të hetohet për informacionet e manipuluara se do kishte dhunë. Dje Kryeministri, kreu i Kuvendit, ministria e Brendshma dhe SHISH u bënë pjesë të një puçi të vërtetë antikushteues të qytetareve. Kryeministri deklaroi në ‘Rai Uno’ se do ndodhin kate të turpshme ndaj parlamentit dhe thoshte se opozita do dhunojë parlamentin sipas gjoja shërbimeve inteligjente”, u shpreh Vasili në një dalje për mediat.

Ai kërkoi që Presidenti, Prokuroria dhe shërbimet partnere, të hetojnë se cilat ishin informacionet manipuluese që u shpërndanë nëpër kancelaritë ndërkombëtarë, që rrethuan me gjemba Kuvendin dhe bllokuan valët celulare. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd