



Një tjetër ngjarje makabre vjen nga Meksika, ku këtë të mërkurë autoritetet konfirmuan se kufoma e gjetur e therur brenda një çante, i përket biznesmenes Susanna Carrera, e cila u rrëmbye pak javë më parë në Veracruz.
Kufoma e saj u gjet brenda një çante të madhe në një parkim në qytetin bregdetar të Coatzacoalcos. Gruaja ishte zhdukur teksa ishte nisur për të marrë fëmijët nga shtëpia e një shoqes së saj.
Siç zbuluan kamerat e sigurisë të disa ambienteve përreth, gruaja ishte marrë me forcë në një makinë. Më pas grabitësit kishin telefonuar familjen, duke i kërkuar 4 milionë pesës, ose rreth 180 mijë euro, shkruan noa.al.
Por këto para familja nuk arriti që ti sigurojë, çka bëri që rrëmbyesit ta vrisnin gruan. Siç raportojnë mediat vendase, në trupin e gruas vrasësit kishin lënë një mesazh, ku thuhej se ishte vrarë “sepse burri bëri të fortin dhe nuk donte të paguante haraçin”.
Çifti kishte në pronësi një fabrikë të vogël alumini në zonën, por nuk ishin aq të pasur sa që të mund të siguronin një shumë kaq të madhe. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





