Transmetuar më 21-02-2019, 10:09

Ka nisur protesta e sotme e opozitës, e udhëhequr nga kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Por mbështetës të opozitës, kanë dhuruar lule për policinë e vendosur si “gardh” në hyrje të Parlamentit.

Po ashtu ata kanë ndezur disa qirinj në kujtim “të parlamentit të vdekur”. Disa të rinj mbajnë në krahë shirit të bardhë, si shenjë paqe për protestën.

Me pankarta në duar protestuesit kanë thirrur në kor "Rama ik!".

Protesta e sotme vjen vetëm pak orë pasi deputetët demokratë dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim, hoqën dorë nga mandatet parlamentare.

Ndërkohë seanca parlamentare e ditës së sotme u shty nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi, me synim shmangien e çdo incidenti të mundshëm.

Sakaq Policia e Shtetit deklaroi se nga informacionet e mbledhura nga shërbimet përkatëse, ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale.

Po ashtu deklarohet se synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë.

Për të parandaluar çdo mundësi të tillë, Policia e Shtetit, u bën apel në radhë në radhë të parë organizatorëve që të distancohen hapur nga dhuna dhe të bëjnë thirrje për respektimin e ligjit nga çdo protestues. Po ashtu Policia e Shtetit u bën apel të gjithë atyre që duan të ushtrojnë lirinë e tubimit dhe të drejtën e protestës, që të mos përfshihen në asnjë rast e për asnjë arsye në veprime të dënueshme ligjërisht.

Policia e Shtetit e siguron opinionin publik, se forcat e rendit dhe sigurisë janë të gatshme t’i përgjigjen me forcën e ligjit dhe në proporcionalitet të plotë, çdo veprimi të paligjshëm apo akti dhune. Po ashtu, janë marrë të gjitha masat për identifikimin dhe skedimin e çdo individi që do të evidentohet si shkelës i ligjit, si edhe për ndalimin e për nxjerrjen e çdo shkelësi përpara drejtësisë. /a.y/noa.al

Basha: Sot digjen mandatet! Protesta do t’ia arrijë qëllimit

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd