Transmetuar më 21-02-2019, 09:41

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ajo e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi janë nisur për të prirë protestën e sotme para Parlamentit, e cila pritet të nisë rreth orës 10.00.

Për të shmangur çdo incident të mundshëm, janë rreth 1200 forca policie në terren, teksa siç mund të shihni nëpërmjet fotografive, Parlamenti është i “blinduar”.

Mësohet se Garda është pozicionuar brenda Parlamentit dhe në tarracë, teksa godina është rrethuar me tela me gjemba.

Protesta vjen vetëm pak orë pasi deputetët demokratë dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim, hoqën dorë nga mandatet parlamentare.

Sakaq Policia e Shtetit deklaroi se nga informacionet e mbledhura nga shërbimet përkatëse, ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale.

Po ashtu deklarohet se synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë.

Për të parandaluar çdo mundësi të tillë, Policia e Shtetit, u bën apel në radhë në radhë të parë organizatorëve që të distancohen hapur nga dhuna dhe të bëjnë thirrje për respektimin e ligjit nga çdo protestues. Po ashtu Policia e Shtetit u bën apel të gjithë atyre që duan të ushtrojnë lirinë e tubimit dhe të drejtën e protestës, që të mos përfshihen në asnjë rast e për asnjë arsye në veprime të dënueshme ligjërisht.

Policia e Shtetit e siguron opinionin publik, se forcat e rendit dhe sigurisë janë të gatshme t’i përgjigjen me forcën e ligjit dhe në proporcionalitet të plotë, çdo veprimi të paligjshëm apo akti dhune. Po ashtu, janë marrë të gjitha masat për identifikimin dhe skedimin e çdo individi që do të evidentohet si shkelës i ligjit, si edhe për ndalimin e për nxjerrjen e çdo shkelësi përpara drejtësisë. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd