Transmetuar më 20-02-2019, 17:13

Policia e Shtetit ka dhënë një deklaratë për mediat një ditë pas protestës së opozitës, ku ka paralajmëruar se ekziston mundësia që tubuesit të hyjnë me forcë në Parlament.

“Nga informacionet e mbledhura nga shërbimet përkatëse, ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale. Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë”, thuhet në reagim.

Policia apelon për distancim nga aktet e dhunës dhe respektimin e ligjit.

“Policia e Shtetit e siguron opinionin publik, se forcat e rendit dhe sigurisë janë të gatshme t’i përgjigjen me forcën e ligjit dhe në proporcionalitet të plotë, çdo veprimi të paligjshëm apo akti dhune.

Po ashtu, janë marrë të gjitha masat për identifikimin dhe skedimin e çdo individi që do të evidentohet si shkelës i ligjit, si edhe për ndalimin e për nxjerrjen e çdo shkelësi përpara drejtësisë”, thuhet më tej.

Më shumë se 1 mijë forca policie do të angazhohen në protestën e ditës së nesërme. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd