Transmetuar më 19-02-2019, 19:14

Mbrëmjen e sotme në orën 21.00 luhet ndeshja mes Lionit dhe Barcelonës, e vlefshme për Champions League.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin e Lionit në Francë.

Më poshtë ju ftojmë të shikoni formacionet e mundshme të dy skuadrave, sipas UEFA.

Lyon (4-2-3-1): Lopes, Dubois, Marcelo, Denayer, Mendy; Tousart, Ndombele; Traore, Aouar, Depay; Dembele.

Barcelona (4-3-3): Ter Stegen, Semedo, Piquè, Lenglet, Alba; Rakitic, Busquets, Vidal; Messi, Suarez, Dembele.

Ndeshja e kthimit luhet në Camp Nou 13 mars 2019.

Dhjetë vite pas përballjes së fundit në UEFA Champions League, dueli Lyon-Barcelona rikthehet aty ku u ndal, në fazën e 1/8-ve. Gjërat janë ndryshe, por situata është e njëjtë, Lionel Messi dhe Barça synojnë të kalojnë më tej në çerek-finale.

Për Lyonin, nuk janë më Benzema dhe brazilianët Cris, Juninho, Ederson dhe Fred. Në vend të tyre tashmë Lyoni ka emra si Mendy, Ndombele, Aouar, Depay apo dhe Nabil Fekir.

Pikërisht kapiteni, kampion bote ka qenë i jashtëzakonshëm këtë sezon me 3 gola dhe 2 asiste në fazën në grupe. Por ai nuk do të jetë sot për shkak të një pezullimi kartonësh. Kështu do të kërkohet dyfish angazhim për holandezin Memphis Depay, i cili edhe pse nuk ka realizuar shumë këtë sezon, ka kontribuuar me 13 asiste.

Në grupe Lyoni nuk pësoi asnjë humbje dhe dhuroi spektakël përballë një skuadre si Manchester City. Në fakt vetëm fitorja ndaj tyre rezultoi vendimtare për kualifim. Si filozofi, loja e City-it është e ngjashme me atë të Barcelonës, por katalanasit kanë elementin kryesor shtesë, Lionel Messin.

Ndaj tij, francezët shpresojnë që 23-vjecari Ferland Mendy të jetë në gjendje ta ndalë. Nga ana tjetër e sigurt për Barcelonën është se ata nuk shkojnë në Lyon vetëm për ndeshjen, por edhe për të parë elementë të cilët mund t’i synojnë në merkato.

Historia tregon se Edmilson, Eric Abidal dhe Samuel Umtiti dolën pikërisht nga akademitë e këtij klubi, për të shkëlqyer më pas në radhët e Barcelonës. Kështu talentet që luajnë sot me Lyonin, luajnë edhe për të ardhmen e tyre.