Transmetuar më 19-02-2019, 13:42

Kanë dalë sot para Gjykatës së Tiranës, personat e arrestuar lidhur me protestën e së shtunës, 16 shkurtit, pas momenteve të tensionit dhe goditjen me sende të forta ndaj Kryeministrisë.

Brenda kafazit të hekurt ata kanë thirrur në kor dhe me dy gishtat lartë: “Rama ik!”, “Rama ik!”.

Duke folur pas seancës në pritje të masës së sigurisë, avokati Ivi Kaso, deklaroi se Prokuroria dështoi që të tregoi qoftë edhe një pamje filmike ku të ndaluarit të shfaqin akte dhune ndaj policisë apo pronës publike.

Po ashtu ai tha se arrestimet janë politike, ndërkohë që hodhi akuzë për falsifikim provash.

“Sot në gjykatë u paraqit një provë e falsifikuar. Pra procesverbali i dytë i kontrollit të banesës së Florenc Hoxhës është qartësisht i falsifikuar. Është falsifikuar ora e mbajtjes së këtij procesverbali për arsye që ti jepej gjykatës pasqyrimi i rremë i realitetit, kur në fakt ky kontroll është zhvilluar jashtë çdo procedure ligjore dhe jashtë orarit ligjor që parashikon orën 22.00 të darkës si orar maksimal të ushtrimit të banesës. Kontrolli është kryer pas orës 22:00, ndërsa proceverbali mban orën 21:00”, u shpreh Kaso.

Megjithatë avokati mohoi që të jetë ushtruar dhunë ndaj të ndaluarve. Vendimi lidhur me masën e sigurisë për të arrestuarit do të jepet nga gjykata, në orën 15.00 të ditës së sotme.

Mes të arrestuarve janë ish-drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës në kohën e Lulzim Bashës, Florenc Hoxha si dhe protestuesit Andon Gjini, Resul Daci, Suzana Dimushi, David Linati, Hasan Jakupi, Ilir Hamedini, Festim Taku, Mitat Fieraku, Lefter Jakupi, Pëllumb Sheluka, Veljan Dine, Emanuel Nallbani, Naim Haxhiu, Ndue Tuci dhe Saimir Rexhepi, i njohur ndryshe si “Ujku i Cërrikut”.

Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”. /a.y/noa.al