Transmetuar më 18-02-2019, 14:25

Kryetari i Bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu komunikoi sot mbylljen e disa shërbimeve, si çerdhe, konviktin e nxënësve, Qendrën e Fëmijëve me Aftësi Ndryshe, Shërbimin e Pastrimit dhe gjithë shërbimet që kanë lidhje me bllokimin e veprimtarisë financiare në Degën e Thesarit.

Në një dalje për mediat ai deklaroi se Qeveria po e sheh gjithnjë e më shumë si armik çdo banor të Skraparit, duke e penguar atë të jetoj qoftë me 1/12 e Buxhetit Faktik të Realizuar në 2018 siç e parashikon ligji.

Ai denoncoi se në kundërshtim të plotë me çdo ligj, Ministria e Financave mban të bllokuar politikisht 17 000 banorë të Skraparit duke i lënë ata pa shërbime, duke penguar veprimet financiare të Bashkisë Skrapar.

“Teatri i dirigjuar nga deputeti i Rilindjes Adnor Shameti për bllokimin e buxhetit, për të shkaktuar sa më shumë varfëri se “ashtu merret më kollaj vota” po lë, pa shërbime njerëzit hallexhinj, mbylli çerdhe, Konviktin e Nxënësve të Qytetit, Qendrën e fëmijëve me aftësi ndryshe, Muzeu, Sporti, Pallati i Kulturës etj. Por ky teatër për bllokimin e buxhetit, do t’i kthehet mbrapsht, pasi drejtësia vonon por nuk harron. Për t’i paraprirë bllokimit të buxhetit, Bashkia Skrapar i është drejtuar Gjykatës Administrative Vlorë me Kërkesë Padi me objekt: “Sigurimin e Padisë” për vendimet e kundraligjshme”, u shpreh Spahiu.

Kryebashkiaku shtoi më tej se gjykata ka dalë me vendim për “moskompetencë gjykimi” duke ja drejtuar çështjen Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.

Po ashtu ai tha se aktualisht, vendimi nuk është zbardhur kur ligji parashikon që këto çështje duhet të gjykohen brenda pesë ditëve për t’u paraprirë pasojave dhe se vendimi është i pazbardhur nga gjyqtari i çështjes, “dikur këshilltar i Ramës në Zyrën Elektorale Vlorë”.

Në këto kushte, tha ai, Skrapari rrezikon të kthehet qëllimisht në qytet ku sipas planit të socialistëve njerëzit duhet të largohen nga ky vend, e t’a braktisin atë “se kështu e dashkërka Rilindja; Të varfër, pa kopshte, pa çerdhe e shkolla, pa shërbime etj”.

Spahiu i bëri thirrje ministres së Financave Anila Denaj, që të ndaloj një herë e më parë, “këtë akt kriminal të bllokimit të buxhetit”, të marrë përgjegjësinë e saj ligjore për urdhrat që dalin nga ministria e saj për të ndaluar veprimet me Degën e Thesarit ndaj Bashkisë Skrapar.

Ai nënvizoi se Bashkia Skrapar aktualisht nuk ka buxhet të miratuar sipas ligjit, por janë thjesht 4 fletë “që për fat të keq ju i quani Miratim Buxheti, duke dhënë urdhër që ato të zbatohen”.

Në këtë situatë të pazakontë për Bashkinë Skrapar, sipas tij, Spahiu i bëri thirrje Kryeministrit Edi Rama që të mos bëj sehirxhiun por të ndërhyjë në zgjidhjen e kësaj situate.

“Të ndërpres menjëherë këtë akt kriminal të ndërmarrë nga Ministria e Financave. Të shkarkoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë akt të paprecedentë”, tha në mbyllje kryebashkiaku i Skraparit. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd