Transmetuar më 18-02-2019, 10:28
Orest Rexho, Arjan Hasani

Policia e Vlorës ka shoqëruar rreth 15 persona, të cilët mund të kenë dijeni mbi atentatin e mesditës së të dielës, ku u ekzekutuan me armë zjarri dy persona dhe u plagos një tjetër.

Bëhet fjalë për një atentat të menduar, për shkak se krimi ndodhi në një zonë ku mjediset përreth nuk kishin kamera sigurie, çka vështirëson identifikimin e autorëve.

Dyshohet se shënjestra e atentatit të ndodhur në zonën e “Ujit të Ftohtë”, ishte Armando Sulejmani 43 vjeç, i cili njihej edhe si “Çipuri” dhe rezultonte person me precedentë penalë, si dhe i dënuar më parë për vrasje.

Ai rezulton të ketë qenë edhe anëtar i bandës famëkeqe të Gaxhait, teksa i ka shpëtuar edhe një tjetër atentati në vitin 2016.

Sulejmani ishte duke udhëtuar me makinë bashkë me kunatin e tij, Arjan Hasani 45 vjeç dhe me shokun Orest Rexho 37 vjeç.

Si pasojë e të shtënave humbën jetën Hasani dhe Rexho, ndërkohë që “Çipuri” mbeti i plagosur.

Dy viktimat ndodheshin në vendet e para të makinës, ndërsa Sulejmani ishte pasagjer në sediljet e pasme, në momentin kur u qëlluan me breshëri kallashnikovi.

Pak pas ngjarjes në fshatin Sherisht, policia gjeti duke u djegur një makinë, e cila mendohet se iu përket atentatorëve si dhe tre automatikë brenda. /a.y/noa.al

Armando Sulejmani

Armando Sulejmani

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd