Transmetuar më 16-02-2019, 08:00

Zbulohen detaje nga protesta e opozitës, e cila pritet të kulmojë në orën 11.00 para Kryeministrisë.

Por ndryshe nga protestat e tjera, kësaj radhe kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi nuk do të mbajnë fjalim.

Ata kanë zgjedhur që të heshtin, ndërkohë që fjalime do të mbajnë vetëm qytetarët që do i bashkohen protestës.

Protestuesit do të rrethojnë Kryeministrinë, ku thuhet se qytetarët do të qëndrojnë pa afat në bulevard.

Sakaq janë rreth 1300 efektivë policie në gatishmëri për mbarëvajtjen e protestës, me synim parandalimin e çdo incidenti.

Mirëpo policia ka refuzuar që protesta të zhvillohet në dy anët e Kryeministrisë, pikërisht tek Piramida dhe në rrugën “Ismail Qemali”.

“16 shkurti është dita kur një popull që është vjedhur, është tradhtuar, është poshtëruar nga një klikë që e varfëron përditë, ngrihet të marrë në dorë fatet e tij si çdo popull Europian. Në Europë ku duam të shkojmë, kur qeveria kapet duke vjedhur, ndëshkohet qeveria, ikin hajdutët në burg! Nuk vuan populli! Përgjegjësia për çdo pengesë që i bëhet të drejtës së shqiptarëve për të protestuar kundër pushtetit të vjedhur me votat e krimit do bjerë e gjitha mbi këtë qeveri hajdute dhe kryehajdutin e saj! Sovrani në Republikën e Shqipërisë është populli shqiptar!”, tha Basha në mesazhin e fundit para protestës.

Në një deklaratë më herët Policia e Shtetit tha se është e angazhuar tërësisht për marrjen e masave për mbarëvajtjen e protestës së njoftuar nga subjektet politike të opozitës, për datën 16 shkurt 2019, si një detyrim ligjor dhe i natyrshëm i saj, për mbështetjen e të drejtës së organizmit dhe protestave paqësore të qytetarëve.

Policia e Shtetit bëri me dije se garantimi i lirisë së veprimtarisë, të lëvizjes dhe të qasjes së papenguar në mjediset e misioneve diplomatike dhe në disa institucione të rëndësishme shtetërore, e bëjnë të pamundur lejimin e protestës së opozitës në rrugën “Ismail Qemali”. Por nga ana e Policisë së Shtetit dhe e autoriteteve vendore policore të Tiranës janë mundësuar mjedise të mjaftueshme si bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, i cili është shfrytëzuar historikisht për qëllime të tilla dhe që ofron hapësira të mjaftueshme edhe për pjesëmarrje masive.

“Përveç deklaratave dhe retorikës së ndezur politike dhe thirrjeve për dhunë, të artikuluara nga disa përfaqësues të politikës dhe medias, Policia e Shtetit ka administruar edhe informacione se persona të caktuar, me rekorde kriminale apo të dënuar më parë për vepra të rënda penale, janë përgatitur për të ushtruar dhunë në protestën e datës 16 shkurt 2019, të organizuar nga Partia Demokratike.

Në interes të mbarëvajtjes së protestës dhe të sigurisë së pjesëmarrësve në të, dhe të qytetarëve të tjerë, Policia e Shtetit u bëri thirrke organizatorëve, që të distancohen nga zërat që inkurajojnë dhunë, si dhe nga personat me rekorde të rënda kriminale.

Për qytetarët që nuk janë pjesë e protestës bëhet thirrje që të shmangin sa të jetë e mundur mjediset, ku ajo do të zhvillohet. /a.y/noa.al