Transmetuar më 15-02-2019, 16:03

Policia e Korçës ka bërë të mundur arrestimin e katër personave, të cilët dyshohen si të përfshirë në veprimtarinë e paligjshme të shitjes dhe transportit të lëndëve narkotike.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në Policinë e Korçës arrestuan në flagrancë:  Adrian Sako, 47 vjeç;  Zija Hidri, 56 vjeç; Andrea Muço, 50 vjeç dhe Mariglen Sako, 30 vjeç.

Në dalje të Republikës së Shqipërisë u paraqitën 2 mjete, tip kamion. Gjatë kontrollit të imtësishëm si edhe skanimit të mjeteve, u gjet dhe sekuestrua një sasi prej 1074,2 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Nga kryerja e veprimeve të mëtejshme hetimore, u arrestuan drejtuesit e mjeteve dhe dy bashkëpunëtorë të dyshuar të tyre, si të implikuar. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan disa mjete, sasi monetare dhe telefona.

Materialet i kaluan për ndjekje Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë./b.l/noa.al/