Transmetuar më 15-02-2019, 07:46
Dritan Dajti dhe kater efektivet e vrare

Ndaj gjyqtarëve që dhanë vendimin që shpëtuan nga burgimi përjetë Dritan Dajtin, janë ushtruar kontrolle blic.

Në banesat e tre gjyqtarëve që dhanë dënimin me 25 vite burg, duke pranuar gjykimin e shkurtuar, kanë shkuar për kontroll të beftë forcat speciale të policisë.

Operacioni është shtrirë në tre qytete ku jetojnë gjyqtarët, në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje.

Vendimi për heqjen e dënimit me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin u dha të premten e kaluar, nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda.

Gjatë këtij vendimi u votua pjesërisht kundër nga dy gjyqtarët e Apelit Shkodër, Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha.

Ndërsa për uljen e dënimit të tij janë shprehur në favor tre anëtarët e tjerë Skënder Damiani, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolla, në banesat e të cilëve është ushtruar edhe kontrolli.

Më 23 korrik 2014, Dritan Dajti u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ekzekutimin e oficerëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani në gusht të vitit 2009. /a.y/noa.al