Transmetuar më 14-02-2019, 22:55

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ishte “I Ftuari” i kësaj të enjteje në emisionin e Endri Xhafos në A2 CNN, ku komentoi ngjarjet e ditës së sotme në Kuvend, hedhjen e bojës ndaj Kryeministrit Rama nga Edi Paloka.

Ai e komentoi situatën si të përgatitur dhe të pabesë në një ditë solemne.

“Ngjarja e sotme nuk meriton koment. Një sulm i përgatitur dhe i pabesë në një ditë solemne. Ne sot kemi marrë një vendim që Maqedonia të futet në NATO. Kjo ishte një ditë e madhe për rajonin dhe shqiptarët. Duhet të mësojmë që edhe në luftë ulen armët.

Ishte një gabim në të gjitha planet. Nuk ishte një shpërthim i çastit. Ajo shiringë e turpshme ishte e përgatitur. Më erdhi turp të flisja me Talat Xhaferrin”, tha Lleshaj.

Më tej, Lleshaj u shpreh se do të kryhen analiza në lidhje me subastancën e hedhur ndaj Kryeministrit Rama. “Nuk e dimë se çfarë ishte substanca do të kryhet analiza. Fatkeqësisht është kryer vendi i ngjarjes në Parlament”, tha ministri.