Transmetuar më 13-02-2019, 23:17

Një aksident tragjik ndodhi pasditen e sotme në Maqedoni.

13 persona humbën jetën nga aksidenti që ndodhi në autostradën Tetovë-Shkup, pas përmbysjes së një autobusi, ndersa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

Në lidhje me këtë aksident kanë reaguar presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Reagimi i presidentit Ilir Meta

"Në këto momente të vështira jam shpirtërisht pranë familjeve të lënduara nga kjo tragjedi, të afërmve e miqve të viktimave dhe pranë të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të prekur prej saj! Ngushëllimet e sinqerta dhe solidaritet vëllazëror! Urim të sinqertë për një shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit!"

Reagimi i kryeministrit Edi Rama

"Pikëllim për tragjedinë e autobusit në vendin fqinj të Maqedonisë së Veriut, ku numri i viktimave e të plagosurve ka tronditur e shqetësuar aq shumë familje. U jemi pranë shpirtërisht të gjitha familjeve dhe të gjithë vendit mik".

Reagimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Me hidhërim të thellë mësova lajmin e aksidentit tragjik pranë Gostivarit. Në këto ore dhimbje dhe tronditje të thellë u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave, shërim të shpejtë të lënduarve dhe solidaritet të plotë autoriteteve vendore dhe qendrore të Maqedonisë së Veriut."-/a.k/noa.al/