Transmetuar më 12-02-2019, 12:20

Në vijim të takimeve në rrethe, kryedemokrati Lulzim Basha u ndal mesditën e sotme në qytetin e Pogradecit, për të biseduar me banorët dhe për ti ftuar në protestën e së shtunës.

Gjatë takimit me një tregtar, Basha tha se Rama nuk ka mbajtur premtimet sepse ato nuk ishin premtime dhe as program ekonomik.

“Ai votën e ka marrë me banditët, siç e tha edhe ‘Zëri i Amerikës’. Ai votën tënde s’ka nevojë ta mbaj. Ne e kemi lidhur fatin me ju.  Kjo është garancia sepse ajo që themi nuk është premtim, por është plan. Ne nuk do të vijmë në pushtet me votën e krimit. Unë nuk jam ulur ndonjëherë me krimin, nuk bëj pushim e me oligarkë.  Duhet të bësh dallimin e një force politike që vjen me program, jo me premtime, që e lidh fatin me ty”, u shpreh Basha.

Në këtë linjë ai shtoi se 16 shkurti do të rikthejë votën dhe do t’i japë fund grushtit të shtetit.

Gjatë bisedës që pati me një qytetar i cili u ankua për pronën, Basha tha se PD është parti pro pronës, si dhe premtoi anulimin e ligjit aktual të pronës.

“Ne kemi çuar në Strasburg kundërshtimin për ligjin e pronave. Nuk duhet kërkuar nga opozita atë që ka në dorë qeveria. Të garantoj e kam thënë dhe po e përsëris, ligji që ata kanë bërë për të hequr kompensimin me vlerë tregu, është rishpronësim. Atë që e bëri Enver Hoxha para 60 vjetësh, e bën edhe ky ligj. Në do ta rrëzojmë këtë ligj dhe ne do t’ju dëmshpërblejmë me vlerë tregu. Ky është qëndrimi ynë. Ne e kemi shpallur”, deklaroi kreu i opozitës.

Ai bëri me dije se ligji është dërguar në Gjykatën e Strasbugut, ndërsa shtoi se ditën kur qytetarët do e besojnë PD, do të bëhet anulimi i ligjit.

Në vijim ai deklaroi se në Pogradec janë afërsisht 2 mijë biznese, ndërsa 5000 janë mbyllur në një vit nga taksat si dhe 400 familje janë hequr nga ndihma ekonomike.

“Sapo hyn në qytet ke atë të betonit që me letra bën 12 milionë euro. Gjysma e atyre e vjedh Edi Rama njësoj si tek Unaza. Zgjidhja është në dorën tënde. Me ato 12 milionë euro mund të dyfishohej pensioni për të gjithë pensionistët e Pogradecit. Mund të trefishohej ndihma ekonomike për familjet në nevojë në të gjithë qarkun e Korçës. Mund hapeshin vende pune me 300 mijë lek për 2 mijë vende pune”, tha ndër të tjera Basha.

Ai shtoi se në vend që të ndodhnin këto, është një monument betoni me të cilin gjysmat i vjedh Edi Rama. /a.y/noa.al