Transmetuar më 11-02-2019, 17:20

Autoritetet policore italiane kanë arrestuar sot një 37-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim.

Prangosja e tij u bë në Trenzano, pasi rezultonte në "listën e zezë" të autoriteteve shqiptare të drejtësisë.

Pas verifikimeve ai rezulton se është i dënuar me 8 vite burg nga autoritetet shqiptare, i akuzuar për trafik droge.

Karabinierët po hetonin për një periudhë të gjatë për të kapur të dyshuarin, derisa të dielën u ngrit një kurth ndaj tij.

Një patrullë policie u vendos afër shtëpisë së tij për të vëzhguar ndonjë lëvizje të dyshimtë.

Ata më pas hynë në apartament, ku shqiptari ishte në praninë e anëtarëve të familjes dhe të afërmve.

Sapo vuri re praninë e policisë, shqiptari u përpoq të arratisej nëpërmjet një shkalle lëvizëse të vendosura në ballkon jashtë dhomës së gjumit.

Nga aty, ai do të largohej nëpër fushat përreth duke shpëtuar, por policia kishte menduar edhe këtë skenar.

Forcat e rendit ishin pozicionuar edhe jashtë ndërtesës, duke mos i lënë asnjë shteg shqiptarit. Pas arrestimit, ai është dërguar në burg. /k.k/noa.al/