Transmetuar më 11-02-2019, 16:20

Policia e Shkodrës arrestoi pak orë më parë specialistin e policimit në komunitet në zonën e Gruemirës në Malësinë e Madhe, Berhan Bajrakurti.

Ai dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur 15-vjeçare. Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar me tone të ashpra deputeti i PD-së, Bardh Spahia, i cili shprehet se ky është rasti më flagrantë se si funksionon shteti.

Me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook”, Spahia jep detaje të tjera për Barjakurtin. Ai shprehet se i arrestuari ishte i prekur nga dekriminalizimi, por u rikthye sërish në detyrë nga persona me influencë brenda Partisë Socialiste.

“Rasti i Malësisë së Madhe është rasti me flagrant se si funksionon sot shteti. Shefi i komisariatit Berhan Bajrakurtaj i larguar nga dekriminalizimi kthehet në detyrë nga personat më të rëndësishëm politik të Partisë Socialiste të Malësisë së Madhe. Sigurisht që ish komisioneri i PS në zgjedhjet e qershorit 2015 ishte i domosdoshëm për mazhorancën e lidhur me krimin”, shkruan Spahia.

Më tej ai thekson se “është e tmerrshme dhe thellësisht kriminale përpjekja e kupolës së policisë së Malësisë së Madhe dhe Policisë së Shkodrës për ta mbuluar këtë ngjarje nëpërmjet kërcënimeve të denoncuesve. Tashmë është bindje e thellë që ky është modeli dhe standarti i “rilindjes”. Duhen zhdukur një orë e më parë kjo bandë e neveritshme kriminale”.