Transmetuar më 11-02-2019, 14:43

Gjykata e Krimeve të Rënda, ka pranuar kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për të mos zgjatur hetimet me tre muaj të tjerë.

Do të jetë data 10 mars, dita kur Prokuroria do të vendosë nëse do e kalojë cështjen për gjykim, apo do i mbyllë hetimet.

Pas një seance të zgjatur afro një orë e gjysmë, Tahiri tha se kësaj maratone po i vjen fundi dhe se për të dhe për Prokurorinë ka nisur numërimi mbrapsht.

“Gjykata pranoi kërkesën time dhe deri më 10 mars, Prokuroria ka kohë që të mbyllë hetimet. Kam pasur durim dhe kam durim pa u shqetësuar për asnjë çast, ashtu siç kam forcën t’iu shpjegoj gjithë qytetarëve të vërtetën time deri në germën e fundit. Më vjen mirë që jam në këtë moment! E shoh si mundësinë time për të marrë atë që më takon, pasi kam mbajtur në kurriz akuza nga më të rëndomtat. Për një vit e gjysmë kam pritur që drejtësia të flas”, u shpreh Tahiri.

Ai shtoi se ka fatin që të ndjej mbështetjen e gjithë njerëzve që kanë besuar tek ai, ashtu siç dhe ka ndjerë dyshimin e njerëzve që nuk kanë dyshuar tek ai.

“Ja vlen të presësh, për atë ditë ku vjen drejtësia. Për mua ka rëndësi drejtësia dhe që kësaj maratone ti shkojmë drejt finishit”, deklaroi ish-ministri i Brendshëm.

I pyetur nëse do rikthehet në politikë, Tahiri tha se “Ka kohë për të gjitha!”.

Saimir Tahiri është vënë nën hetim, si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë. Ai akuzohet se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal. /a.y/noa.al