Transmetuar më 11-02-2019, 13:02
Foto arkiv, Taulant Balla, Shkelzen Berisha

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i bëri thirrje Prokurorisë së Tiranës dhe gjykatës që kurrsesi të mos përdorin makinacione për të pushuar çështjen ndaj Sali Berishës, Nuel Kalaj dhe Shkëlzen Berishës, për të cilët tha se ka bërë kallëzim penal.

“Unë i qëndroj akuzës së bërë, se qytetarët shqiptarë kanë humbur 419 milionë euro nga privatizimi i OSSHE te CEZ. Dua ta përdor këtë moment për ti bërë një thirrje Prokurorisë që të vijojë hetimet dhe me shpresën e gjithë shqiptarëve që SPAK ngrihet së shpejti le të jetë kjo një prej dosjeve që ti vihet në dispozicion prokurorisë speciale”, u shpreh Balla, në dalje të gjykatës.

Sipas tij, Prokuroria nuk mund të thotë se nuk e gjen dot Kalaj, duke deklaruar se ai është kandidat për anëtar në komunën e Prizrenit.

Ndërsa Shkëlzen Berisha në dalje të gjykatës tha se nën hetim duhet të jetë Taulant Balla dhe biznesmeni Edmond Bego, duke thënë se biznesmeni ka përfituar 6 milionë euro në tendera në mënyrë të paligjshme.

“Ironia është që në periudhën e hetimit, i pandehuri më akuzonte mua për persona që nuk kam asnjë lloj kontakti. Ai vetë udhëtonte me një trafikant droge nëpër destinacione të Europës. Ky trafikant, Edmond Bego, ka marrë pjesë në mënyrë të paligjshme në tendera duke fituar 6 milionë euro”, u shpreh Basha. /a.y/noa.al