Transmetuar më 10-02-2019, 18:49

Një qytetar denoncoi me video në adresën zyrtare të Policisë së Shtetit, një shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ku drejtuesja e mjetit mbante veshur uniformë policie.

Policia Rrugore njofton se e ndëshkoi shkelësen e denoncuar, për faktin se është konstatuar duke qarkulluar në korsinë e rezervuar për shërbim publik dhe duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit.

Policia e Shtetit nëpërmjet një postimi publik, falenderon qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin që tregojnë duke raportuar në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit në rrjetet sociale apo në Komisariatin Dixhital, shkelje të ndryshme.

"Policia e Shtetit siguron ruajtjen e plotë të anonimatit, reagim të shpejtë, profesional e të paanshëm për cilindo që shkel ligjin. Përpara ligjit janë të gjithë të barabartë", shkruhet në postim.

Më poshtë keni videon e publikuar në faqen zyrtare në Facebook të Policisë së Shtetit./a.k/noa.al/