Transmetuar më 10-02-2019, 16:10

Zëvendës kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama ka denoncuar sërish sot përdorimin e shqiponjës me ngjyrë të bardhë, në simbolin kombëtar të përdorur nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.

Këtë gjë, Luan Rama e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në Facebook

"E kam denoncuar edhe më parë, e denoncova sërish në Kuvendin e Shqipërisë para deputetëve dhe ministrave të qeverisë, por askush nuk reagoi!

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, përdor shqiponjë të bardhë në flamurin kombëtar", shkruan Rama.

Ashtu siç bëri edhe të enjten në sallën e parlamentit, Rama përsëriti denoncimin e tij, duke e quajtur skandaloz dhe në shkelje të rëndë të kushtetutës, veprimin e institucionit të MEPJ.

"Akt skandaloz, veprim i turpshëm dhe fyerje e rëndë ndaj simboleve kombëtare, shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e ligjit", ka shkruajtur Luan Rama më tej./a.k/noa.al/