Transmetuar më 08-02-2019, 21:20

Ish-Kryeministri Berisha ka komentuar me tone të ashpra për uljen e masës së dënimit të Dritan Dajtit nga ana e gjykatës.

Në një status në Facebook, Berisha shkruan se Rama liroi mikun e tij,

“Edvin Kristaq Krimi, i cili ka një komunikim konstant me serial killerin Dritan Dajti shkelmoi sot dhe përdhosi gjakun jo vetëm të katër martirëve të rendit dhe sigurisë, dëshmorëve të atdheut Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari, që ranë më dt 9 gusht të vitit 2009 në krye të detyrës nga dora vrastare e vrasësit serial Dritan Dajti, por edhe të qindra oficerëve të tjerë të policisë së shtetit që ranë për tu bërë të pavdekshem për rendin dhe sigurinë tonë”, shkruan Berisha.

Sipas tij “Edi Rama përdori të gjitha mjetet e krimit dhe së fundmi shpëtoi nga dënimi përjetë njërin prej kriminelëve më mizor në historinë e vendit”.

Për këtë vendim ka reaguar edhe Partia Demokratike.

Reagimi i plotë:

Një nga kriminelët më të rrezikshëm në Shqipëri, vrasësi i 4 Dëshmorëve të Atdheut, është lënë sot praktikisht i lirë nën kujdesin e plotë të Edi Ramës.

Drejtësia e re që ndërtoi kryeministri i mandateve të blera  nga krimi,  ka vendosur që vrasësi i 4 policëve të mos dënohet me burgim të përjetshëm për çdo polic të vrarë, siç ishte vendosur përpara se Gjykata e Lartë e Edi Ramës ta kthente çështjen për rigjykim.

Duke mbrojtur një nga kriminelët më të tmerrshëm, vrasës me pagesë, gjobëvënës, në krye të listës së te shumëkërkuarve deri në 2009-ën, drejtësia e rilindur e Edi Ramës dekurajon çdo punonjës të rendit të luftojë krimin e organizuar.

Me vendimin e drejtësisë së reformuar të Edi Ramës, vrasësit të 4 policëve gjatë operacionit për arrestimin e tij, i kanë mbetur më pak se 10 vite burg. Tani, atij i duhet të gjejë një vangjushdako për të garantuar lirinë me kusht, njësoj si Lul Berisha para zgjedhjeve.

Mesazhi është i qartë. Jo vetëm që Edi Rama nuk ka mdërmed të luftojë krimin dhe të çojë prapa hekurave bandat, por me drejtësinë që ai kontrollon, bandat bëjmë festë!

Dritan Dajti është rasti më i freskët i listës së gjatë të vrasësve, trafikantëve, gjobëvënsve dhe kriminelëve më të rrezikshëm të liruar gjatë qeverisë së Edi Ramës!