Transmetuar më 08-02-2019, 13:26
Gjate takimit me studentet ne Korce

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Arsimit Besa Shahini, zhvilloi sot një bashkëbisedim me studentët në Korçë.

Ai tha se pas shqetësimeve të ngritura nga studentët, u shkua shumë më tej për ata që janë më të mirë, ku u mundësua pagesa 100% e tarifës nga shoqëria nëpërmjet taksave.

Kjo pasi siç tha ai, shoqëria iu detyrohet më të mirëve, por edhe atyre që janë më të dobët ekonomikisht.

Ndërsa për të tjerët, deklaroi se paguhet gjysma e tarifës në nivelin e parë dhe kjo gjë vlen për nivelin e dytë për studentët e ekselencës.

“Në këto kushte secili prej jush duhet të bëjë më shumë se kaq, më shumë se të marrë 9 dhe 10, por të siguroj që kjo gjë që është nisur dhe që Pakti për Universitetin të implementohet deri në fund, në mënyrë që ata që vijnë pas, të gjejnë një situatë shumë më të shëndetshme”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë kërkoi që Pakti të kthehet në një kontratë të matshme mes qeverisë dhe studentëve dhe kërkoi që studentët të vënë emrin në këtë kontratë, për të ndjekur zbatimin e saj.

Po ashtu ai tha se pedagogët kanë tendencë që ti shmangen vetingut për titujt akademikë.

“Sharlatanë nën emrin e pedagogut janë një nga simptomat më domethënëse të sëmundjes që ka universiteti që është në sëmundje e brendshme. Nëse ju dorëzoheni, nëse ju harroni dhe mjaftoheni me lekët që morët, titujt akademikë nuk do vlerësohen dhe pedagogët që ju keni pasur në qafë, do ua lini në qafë atyre që do vinë pas jush. Ata s’duan që ta bëjë qeveria! Por kur dhe si do bëhet kjo? Ata nuk e thonë dhe për këtë nxisin studentët të mos bëjnë mësim”, deklaroi Rama.

Kryeministri kërkoi që të ndalet tregtia e librave pa vlerë në këmbim të notës dhe për këtë kërkoi që studentët një herë në vit të bëjnë vlerësimin e studentëve, me mekanizmat që i ka gjithë bota. Sipas tij studentët nuk duhet të lejojnë shpërbërjen e universitetit për shkak se ka autonomi qeveria nuk ndërhyn dot. Rama deklaroi këtë nuk duhet ta lejojnë studentët dhe se në këtë formë pedagogët problematikë do vendosen me shpatulla pas muri dhe se pedagogët e mirë do të shpëtojnë. /a.y/noa.al